Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka njoftuar sot se falë punës së tyre është provuar se koronavirusi mund të shkaktojë dëme në shëndet.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i kësaj akademie, profesor Skënder Gjinushi. Sipas tij, zbulimi është bërë falë punës së palodhur të sektorëve shëndetësorë, ekonomikë, statistikorë dhe fantashkencorë të kësaj akademie. “Ne tani kemi fakte shkencore të pakundërshtueshme që koronavirusi është i dëmshëm për organizmin” u shpreh ai. Gjinushi foli edhe për studimin e kryer kohë më parë nga kjo akademi i cili kishte vërtetuar se numri i të prekurve në Shqipëri ishte në rënie. Në fakt fill pas deklarimit të akademisë, numri i rasteve në vendin tonë filloi të rritej.
“Ne e kemi përditësuar këtë studim” u shpreh ai “dhe tani kemi dalë në konkluzionin se numri i rasteve të të prekurve ose do të rritet ose do të zvogëlohet. Nuk përjashtohet edhe mundësia e qëndrimit në këto nivele” përfundoi Gjinushi duke theksuar se këtë radhë akademia është më e sigurtë se kurrë statistikisht.
Gjinushi i bëri thirrje qeverisë që të trajtojë edhe pjestarët e Akademisë së Shkencave me të njëjtën pagë shtesë si personeli mjekësor i vijës së parë. Kjo sepse sipas tij, edhe akademikët tanë po përleshen përditë me virusin në çdo zyrë, korridor dhe madje edhe tek shkallët e akademisë.
Në fund kreu i akademisë bëri me dije për median se ai dhe kolegët e tij po punonin për vaksinën kundër virusit por kjo do të bëhej e mundur vetëm pasi ai të zgjidhej në një mandat të dytë.