
Për herë të parë pas shumë kohësh presidenti i vendit Z. Ilir Meta, është bërë bashkë me kryeministrin Z. Edi Rama për të propozuar vendosjen e ditës së Black Friday si një festë zyrtare. Marrdhëniet midis kreut të qeverisë dhe atij të shtetit kanë kohë që janë të acaruara dhe sulmet e hapura publike nuk kanë munguar. Sidoqoftë duke parë suksesin e madh të Black Friday këtë vit, ata kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Burime të Periferisë bëjnë me dije se gjatë një bisede telefonike kryeministri është shprehur se “populli dashka vetëm të blejë, hajt t’ia plotësojmë dëshirën”. Një konstatim ky që ka gjetur miratimin e menjëhershëm të kreut të shtetit.
Mendohet se vendosja e Black Friday si festë kombëtare, do të jetë një gjest përbashkues jo vetëm për politikanët por për të gjithë popullin. Gjithashtu ai do të zbusë konfliktin e gjatë për 28 dhe 29 Nëntorit midis forcave politike por edhe historianëve dhe analistëve. Tashmë do të kemi tre festa në fund të Nëntorit dhe Black Friday do të jetë më e rëndësishmja sepse të gjithë do të jenë të preokupuar me blerje të produkteve gjermane me gjysëm çmimi dhe nuk do ketë kohë njeri për debate rreth gjermanit të fundit.
Mësohet se në fund të bisedës së tyre, dy zyrtarët e lartë të vendit, kanë bërë të ditur angazhimin e mëtejshëm për t’i shitur qytetarëve të këtij vendi sa më shumë produkte me çmim të ulët. Madje kryeministri Z. Edi Rama është zotuar se sa kohë të qëndrojë në këtë post, do të bëjë ç’është e mundur që disa produkte si propaganda të jepen sa më lirë e madje falas për publikun.